HAP nis bashkëpunimin me dy OSHC për advokaci në shëndetësi

Projekti Shëndet për të Gjithë (HAP) ka nisur bashkëpunimin me dy organizata të përzgjedhura për të forcuar aktivitetet advokuese me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe qasshmërisë së kujdesit shëndetësor parësor, veçanërisht për grupet e cenueshme.

Tashmë në fazën e Konsolidimit, HAP ka interes të veçantë në përmirësimin e qasshmërisë ndaj shërbimeve të kujdesit në banesë (KSHB) për pacientët kronikë dhe të moshuarit (sidomos të atyre që jetojnë vetëm), si edhe të grupeve të tjera të cenueshme, si personat me çrregullime të shëndetit mendor, gratë, fëmijët dhe të moshuarit që janë pre e dhunës në familje, etj.

Për këtë qëllim, HAP organizoi një tryezë me organizata të shoqërisë civile ku ftoi pjesëmarrësit të sugjeronin çështje advokacie që mund të sillnin ndryshime pozitive në rritjen e qasshmërisë së kujdesit në banesë dhe/ose shërbimeve të tjera të KSHP-së, përmirësimin e një qasjeje holistike të shërbimeve, përfshirë shërbimet sociale publike dhe shërbimet plotësuese që ofrohen për përfituesit e kujdesit në banesë dhe të moshuarit që jetojnë vetëm. Pas këtij hapi, HAP vijoi me publikimin e thirrjes për propozime bashkëpunimi me OSHC në mbështetje të projekteve të advokacisë.

Dy organizatat e përzgjedhura janë Fondacioni Pema e Jetës me projektin “Shërbimi i fizoterapisë i aksesueshëm për personat e prekur nga Skleroza Multiple” dhe shoqata Together for Life me projektin “Të moshuarit me paaftësi të përkohshme dhe të përhershme gëzojnë të drejtat bazë për një jetë dinjitoze përmes kujdesit shëndetësor të përmirësuar në banesë”. Të dyja këto ndërhyrje synojnë të sjellin ndryshime në sistemin shëndetësor parësor në vend me qëllim përmirësimin e shërbimeve për përfituesit e lartpërmendur dhe ofrimin e një shërbimi shëndetësor më holistik në kujdesin parësor. Puna për zbatimin e këtyre projekteve sakaq ka nisur dhe bashkëpunimi do të ketë një kohëzgjatje prej 12 muajsh.

Ky bashkëpunim rithekson përkushtimin e HAP për të nxitur një sistem shëndetësor më gjithëpërfshirës në Shqipëri, duke siguruar qasje më të mirë dhe cilësi më të lartë të kujdesit për të gjithë.