HAP mbështet hartëzimin e shërbimeve socio-shëndetësore në tre bashki

HAP në bashkëpunim me organizata lokale të shoqërisë civile mbështeti hartëzimin e shërbimeve socio-shëndetësore në bashkitë Elbasan, Korçë dhe Shkodër.

Tashmë të gjithë punonjësit socialë pranë qendrave shëndetësore përkatëse do të kenë në dorë  dokumentin “Rrjeti i Shërbimeve Socio-Shëndetësore”, i cili do t’u shërbejë për të lidhur ose referuar pacientët drejt shërbimeve plotësuese që nuk mund të ofrohen nga Qendrat Shëndetësore.

Ky dokument u vjen gjithashtu në ndihmë aktorëve të tjerë lokalë si Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor, Drejtoria e Mbrojtjes dhe Përfshirjes Social, Shërbimi Social Shtetëror Rajonal dhe Organizatat e Shoqërisë Civile, duke u mundësuar njohjen dhe koordinimin më të mirë të shërbimeve në zonën e tyre të mbulimit.

Kjo nismë u realizua në zbatim të Strategjisë Kombëtare të Kujdesit Shëndetësor Parësor 2020-2025 dhe synon të fuqizojë shërbimin socio-shëndetësor përmes përmirësimit të qasjes dhe cilësisë së shërbimeve sociale, veçanërisht të atyre që synojnë arritjen e popullatave të cënueshme.

Informacioni mbi shërbimet socio-shëndetësore u mblodh gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2023.