HAP finalizon Vitin e Parë të Fazës së Konsolidimit: Ja arritjet

Projekti Shëndeti për të Gjithë (HAP) ka përfunduar me sukses vitin e parë të Fazës së Konsolidimit, duke dëshmuar qëndrueshmëri dhe përshtatshmëri përballë ndryshimeve të rëndësishme në administratën shëndetësore të Shqipërisë, si zëvendësimi i ministrit të shëndetësisë, sekretarit të përgjithshëm dhe disa drejtorëve kryesorë.

Gjatë kësaj periudhe, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), e mbështetur nga partnerët e saj, ka zhvilluar shumë politika, strategji dhe plane operative që lidhen ngushtë me objektivat e HAP.

Arritjet Kryesore (1 Prill 2023 – 31 Mars 2024)

Zgjerimi i Shërbimeve të Kujdesit në Banesë: Shërbimi i kujdesit në banesë është zgjeruar në 12 Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NjVKSh) në tetë rajone të Shqipërisë. Deri në Mars 2024, 46 qendra shëndetësore ofrojnë shërbime kujdesi në banesë. Nga 2,146 pacientë të identifikuar fillimisht, 1,486 (69%) kanë përfituar 8,937 vizita në shtëpi. Ndërkaq, 52% e këtyre pacientëve kanë marrë të paktën një vizitë në muaj. Këto arritje janë kryesisht falë mbështetjes së drejtpërdrejtë të HAP. Në fillim të vitit 2024, MSHMS njoftoi se kishte plane për ta shtrirë shërbimin e kujdesit shëndetësor në banesë në të gjitha qendrat shëndetësore në nivel kombëtar.

Përmirësimi i Kapaciteteve Diagnostikuese: Deri në fund të Marsit 2024, 27 qendra shëndetësore morën pajisje diagnostikuese dhe trajnim mbi sëmundjet jo të transmetueshme (SJT). Në total, 136 qendra shëndetësore po përdorin sistematikisht protokollet për SJT-të, përfshirë 80 në Fier dhe Dibër dhe 56 në gjashtë NjVKSh të tjera.

Fuqizimi i Bashkëpunimeve: HAP ka nxitur bashkëpunime frytdhënëse me agjencitë kombëtare që udhëheqin shtrirjen e shërbimeve të kujdesit në banesë dhe ndërhyrjeve të tjera. Këto partneritete, veçanërisht me NjVKSh-të dhe Operatorin, kanë fuqizuar kompetencat në zbatimin dhe monitorimin e shërbimeve të kujdesit në banesë, protokollet për SJT-të, kujdesin për të moshuarit dhe udhëzuesin për shëndetin mendor.

Angazhimi i Shoqërisë Civile dhe Medias: Projekti ka përmirësuar bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile (OSHC), organizatat joqeveritare (OJQ) dhe median për të forcuar advokimin dhe llogaridhënien në kujdesin shëndetësor.

Mbështetja për Kujdesin Shëndetësor Parësor (KSHP): Vazhdon mbështetja për qendrat shëndetësore për zbatimin e udhëzuesit të shëndetit mendor dhe protokollet për kujdesin ndaj të moshuarve. Kjo mbështetje synon përmirësimin e qasjes ndaj shërbimeve për grupet vulnerabël, veçanërisht për pacientët me pamundësi lëvizjeje dhe të moshuarit, si dhe për të rritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore parësore për individët që jetojnë me SJT.

Fushat e Fokusit për Vitin e Dytë

Tashmë që projektit ka hyrë në vitin e dytë, janë identifikuar disa prioritete, si vijon:

Mbështetja për NjVKSh-të: Mbështetja e vazhdueshme për NjVKSh-të e caktuara është thelbësore për të përmirësuar më tej rolet e tyre në zbatimin e shërbimeve të kujdesit në banesë dhe ndërhyrjet e tjera në KSHP. Zgjerimi i aktiviteteve të HAP në të gjitha NjVKSh-të në Shqipëri, siç është kërkuar kohët e fundit nga MSHMS, duhet të qaset me kujdes për të mos cënuar impaktin e projektit.

Mobilizimi i Burimeve Financiare: Nxitja e MSHMS-së dhe Fondit të Sigurimit Shëndetësor (FSDKSH) për të mobilizuar burime financiare shtesë për KSHP-në është thelbësore. Advokimi i fuqishëm për përfshirjen e shërbimeve të kujdesit në banesë në paketën bazë të KSHP-së do të jetë kritik për të siguruar financime dhe burime të ardhurash shtesë.

Ndërtimi i Kapaciteteve Organizative: Operatori dhe NjVKSh-të duhet të vazhdojnë të forcojnë kapacitetet e tyre organizative për monitorim mbështetës të vazhdueshëm. Integrimi i shërbimeve të kujdesit në banesë në ofrimin rutinë të kujdesit shëndetësor mbetet një prioritet.

Ndërsa HAP hyn në vitin e dytë, projekti mbetet i angazhuar për të përmirësuar cilësinë dhe rezultatet e shërbimit të kujdesit shëndetësor në të gjithë Shqipërinë, duke siguruar që edhe popullatat më vulnerabël të marrin kujdesin që u nevojitet.