Edukimi shëndetësor për sëmundjet jo të transmetueshme – Një manual i ri për pacientët dhe profesionistët

Në kuadër të përpjekjeve për të adresuar rritjen e ndjeshme të sëmundjeve jo të transmetueshme (SJT) në Shqipëri, është publikuar një manual i ri i titulluar “Edukimi Shëndetësor për Sëmundjet Jo të Transmetueshme”.

I hartuar me mbështetjen e Projektit “Shëndet për të Gjithë” (HAP) të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), ky manual ofron informacion për ekipin e mjekësisë familjare dhe përdoruesit e Kujdesit Shëndetësor Parësor (KSHP), sidomos ata në rrezik për SJT, për parandalimin dhe kontrollin më të mirë të komplikacioneve të sëmundjeve si hipertensioni, diabeti, dislipidemia, astma, dhe SPOK-u, të cilat përbëjnë edhe shkakun kryesor të vdekjes dhe paaftësisë në Shqipëri.

Faktorë që lidhen me stilin e jetesës si mungesa e aktivitetit fizik, dieta e pashëndetshme si edhe përdorimi i duhanit apo alkoolit janë kontribuesit kryesorë në shfaqjen apo përkeqësimin e këtyre sëmundjeve. Për këtë arsye, edukimi në nivel individual ose grupe të vogla dhe aftësimi i profesionistëve për këshillimin motivues për parandalimin dhe kontrollin më të mirë të SJT-ve është thelbësor për të frenuar dhe kontrolluar përhapjen e këtyre sëmundjeve.

Përmbajtja edukative për ofruesit e kujdesit shëndetësor dhe pacientët

I hartuar dhe rishikuar nga një gamë e gjerë profesionistësh shëndetësorë – përfshirë kardiologë, endokrinologë dhe mjekë e infermierë familjeje – manuali ofron informacion praktik shëndetësor të përshtatur si për ofruesit e kujdesit shëndetësor ashtu edhe për pacientët. Struktura e tij me dy pjesë siguron që profesionistët e shëndetit të kenë informacion të detajuar dhe profesional ku të referohen gjatë ndërveprimeve me pacientët, ndërsa pacientët marrin këshilla shëndetësore të qarta dhe të kuptueshme.

Kështu, ana e majtë e secilës faqe përmban informacion të përshtatur për pacientët. Kjo pjesë përdor gjuhë të thjeshtë dhe ilustrime për të përcjellë mesazhet kryesore tek pacientët duke e bërë të lehtë për ofruesit e kujdesit shëndetësor t’i ndajnë ato me pacientët gjatë konsultimeve.

Ndërsa ana e djathtë e çdo faqeje ka informacion më të hollësishëm për profesionistët e kujdesit shëndetësor, për të ndihmuar në një këshillim profesional të pacientëve. Ky format siguron që profesionistët të përfshijnë edukimin shëndetësor në punën e tyre të përditshme që çon në rezultate më të mira në shëndetin e pacientëve dhe familjarëve të tyre.

Gjithashtu, është me rëndësi të theksohet se përmbajtja e manualit do të jete pjesë e axhendave të trajnimeve të ekipit të mjekësisë familjare mbi zbatimin e protokolleve të trajtimit të SJT-ve dhe do  t’i shtohet bazës materiale të çdo pjesëmarrësi si mjet i domosdoshëm i praktikës klinike në qendra shëndetësore.

Kontributi i ekspertëve dhe qasja e bazuar në evidenca

Procesi i zhvillimit të manualit përfshiu rishikime rigoroze dhe testime me përdoruesit e kujdesit parësor për të siguruar përkatësinë dhe efektivitetin e përmbajtjes. Ekspertët i përshtatën me kujdes burimet ndërkombëtare të edukimit shëndetësor me kontekstin shqiptar, duke siguruar që informacioni të jetë i saktë dhe i zbatueshëm në qendrat e kujdesit shëndetësor parësor.

Bashkëpunimet frytdhënëse që përbëjnë bazën e hartimit të këtij manuali theksojnë besueshmërinë dhe natyrën gjithëpërfshirëse të tij. Pa dyshim që së shpejti ky manual do të jetë një mjet i domosdoshëm për mjekët dhe infermierët e familjes në të gjithë Shqipërinë, duke i ndihmuar ata të ofrojnë edukim shëndetësor më cilësor për pacientët.

Një hap përpara në kujdesin shëndetësor në Shqipëri

Ndërsa Shqipëria vazhdon të përballet me barrën e SJT-ve, publikimi i manualit “Edukimi Shëndetësor për Sëmundjet Jo të Transmetueshme” shënon një hap të rëndësishëm përpara. Ai mishëron një qasje proaktive ndaj kujdesit shëndetësor, duke i dhënë përparësi edukimit, parandalimit dhe fuqizimit të pacientëve në menaxhimin e shëndetit dhe sëmundjeve. Duke pajisur ofruesit e kujdesit shëndetësor me mjetet,njohuritë e nevojshme dhe teknikat e këshillimit, dhe duke promovuar zgjedhje më të shëndetshme të stilit të jetës tek qytetarët, Shqipëria po hedh hapa të rëndësishëm drejt një të ardhmeje më të shëndetshme për të gjithë qytetarët e saj.

Dokumenti mund të shkarkohet në formatin PDF nga faqja zyrtare e HAP  ose këtu:

Manuali “Edukimi Shëndetësor për Sëmundjet jo të Transmetueshme”

*Ky dokument është në pritje të miratimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.