Përfundojnë takimet informuese mbi shtrirjen e Kujdesit në Banesë

Në 16 Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NjVKSh) nën administrimin e Drejtorive Rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OShKSh) në Tiranë, Shkodër, Vlorë, dhe Elbasan kanë përfunduar takimet informuese lidhur me shtrirjen dhe zbatimin e Kujdesit Shëndetësor në Banesë (KShB).

Këto takime shërbejnë si një prezantim orientues i planit të aktiviteteve për zbatimin e këtij shërbimi, i cili përfshin takime në nivel NjVKSh -je dhe qendre shëndetësore, krijimin e databazës për KShB -në, përshtatjen dhe miratimin e rregullores, trajnimet për aftësimin e ekipeve të mjekësisë familjare, shpërndarjen e pajisjeve si dhe trajnimin e monitoruesve.

Gjatë muajve prill-maj 2024 u zhvilluan rreth 16 takime të tilla me pjesëmarrjen e 132 profesionistëve të shëndetësisë, nga të cilët 57 drejtorë të qendrave shëndetësore, 20 infermierë familjeje, 55 specialistë të NjVKSh-së dhe 8 përfaqësues të Drejtorive Rajonale të OShKSh-së.

NjVKSh-të që morën pjesë në këto takime informuese përfshijnë Kavajën, Elbasanin, Pogradecin, Tiranën, Durrësin, Bulqizën, Peshkopinë, Burrelin, Lezhën, Kukësin, Mirditën, Shkodrën, Fierin, Lushnjën, Mallakastrën, Beratin.