Psikologe Krisalda Sauli: Integrimi i shëndetit mendor në mjekësinë familjare ul stigmën dhe jep shpresë

Krisalda Sauli mban pozicionin e psikologes pranë Qendrës Shëndetësore Nr. 3, në Fier. Falë përgatitjes së saj, ajo është përzgjedhur të trajnojë pjesën tjetër të stafit mbi menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor. Biseduam me Krisaldën mbi aftësitë e marra falë këtij trajnimi, punën me Grupin e Kolegëve, dhe rëndësinë e integrimit të shëndetit mendor në kujdesin parësor.

Si ka qenë përvoja juaj me trajnimin si trajnere që ju është ofruar me mbështetjen e HAP?

Trajnimi i ofruar ka qenë një përvojë shumë e mirë profesionale ku jam ndier e orientuar dhe e mbështetur. Gjithashtu, fakti që shërbimi i ri i psikologut në parësor u është komunikuar kolegëve mjekë dhe infermierë, i ka dhënë rëndësinë e nevojshme psikologut si anëtar i ekipit të mjekësisë familjare dhe rolit të tij në procesin e vlerësimit dhe ndërhyrjes në çrregullimet e shëndetit mendor.

Çfarë temash u trajtuan dhe çfarë aftësish morët gjatë këtij trajnimi?

Gjatë trajnimit u zhvilluan tematika të lidhura me “Udhëzuesin për menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor në KSHP”. U ndalëm, së pari, në parimet  e përgjithshme të kujdesit për persona me çrregullime të shëndetit mendor, neurologjik dhe ata me çrregullime nga përdorimi i substancave, së dyti, në diskutimin e procesit të vlerësimit dhe planit të ndërhyrjes për stresin akut, depresionin, pikëllimin, psikozat, vetëvrasjen, dhe, së treti, u përqëndruam në rolet e mjekëve, infermierëve dhe psikologëve sa i përket punës së përbashkët dhe rasteve klinike të paraqitura në udhëzues. Qartësimi lidhur me kompetencat dhe me mënyrat e bashkëpunimit me profesionistët e tjerë ishte në dobi të zhvillimit të grupit të kolegëve në qendrën time shëndetësore pas trajnimit për trajnerë.

Çfarë mund të na thoni për punën tuaj si facilitatore e Grupit të Kolegëve në Qendrën Shëndetësore Nr. 3 në vijim të këtij trajnimi? Cilat kanë qenë disa nga sfidat dhe avantazhet e kësaj qasjeje?

Përmes Grupit të Kolegëve u arrit një urë shumë e mirë profesionale bashkëpunimi midis kolegëve mjekë dhe infermierë të qendrës. Duke u ndalur në raste klinike dhe duke vënë theksin në rolin që ka secili profesionist në vlerësimin e ndërhyrjen në çrregullime të caktuara u bë e mundur rritja e besueshmërisë si dhe u bë më e qartë dobishmëria e rolit të psikologut në parësor. Gjatë takimeve gjithashtu u vendos se si do të realizohet referimi, koha dhe mënyra e rivlerësimit, si dhe ndjekja sipas specifikave të problematikës së paraqitur. Për mua si facilitatore, sfiduese ka qenë shpeshtësia e takimeve, gjë që në fakt u kthye në  avantazh pasi këto takime të shpeshta të të gjithë profesionistëve të qendrës mundësuan diskutimin e rasteve me të cilat ata përballeshin në punën e përditshme. Kjo shërbeu veçanërisht në rritjen e besueshmërisë dhe shkëmbimit të qasjeve, këndvështrimeve personale dhe të dhënave shkencore me qëllim orientimin më praktik të vlerësimit/ndërhyrjes në raste komplekse ku probleme të shëndetit mendor mund të ishin bashkëshoqërues të problemeve akute/kronike fizike.

A mund të na sillni disa shembuj konkretë lidhur me ndryshimet që kanë ndodhur në praktikën e përditshme të Mjekut të Familjes në QSH-në tuaj duke përfshirë këtu edhe komunikimin e ndërsjellë ndërmjet Mjekut të Familjes, Infermieres së Familjes dhe Psikologut?

Ndryshimet e arritura lidhen me:

  • sistemin e brendshëm të referimit të pacientëve
  • konsultimin paraprak mjek-psikolog-infermier për të monitoruar efektet e ndërhyrjes të shtrirë në kohë
  • diskutimin e nevojës për referim tek specialisti, psikiatri apo mjekë të tjerë dhe puna e përbashkët mjek-infermier-psikolog-mjekë të tjerë-familjarë me qëllim ndërhyrjen e përshtatshme në përputhje me specifikat e rastit
  • orientimin e qartë lidhur me kompetencat e secilit profesionist
  • lehtësimin e diskutimit me pacientët me probleme të mundshme të shëndetit mendor dhe bërja rutinë e referimit te psikologu i qendrës
  • evidentimin më të mirë të simptomave të fshehura nga ankesa somatike/sjellje specifike
  • punë bindëse/sqaruese nga mjeku apo infermieri i familjes me pacientin refuzues për të marrë shërbim te psikologu ose te psikiatri
  • shmangien e përshkrimit të medikamenteve menjëherë pas paraqitjes së shqetësimeve duke realizuar, së pari, një vlerësim të plotë mjekësor dhe psikologjik

Të gjitha këto kanë ndikuar në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve të cilëve u është ofruar këshillim psikologjik dhe/ose psikoterapi.

Si ka ndryshuar komunikimi ndërmjet QSH-së dhe Mjekut Specialist në vijim të këtyre trajnimeve?

Komunikimi mes QSH-së dhe mjekut specialist është bërë më i orientuar dhe specifik. Ekipi në QSH-në tonë fillimisht fokusohet në planin e ndërhyrjes multidisiplinare duke u dhënë pacientëve sigurinë dhe qartësinë e asaj që mund të ofrohet në QSH dhe se sa gradualisht do të zhvillohet ndërhyrja. Përpiqemi të shmangim referimin, dhënien e mjekimeve, apo trajtimin e drejtpërdrejtë të simptomave që paraqet pacienti duke e parë pikësëpari individin si qënie psiko-emocionale që duhet trajtuar në tërësinë e problematikave që mbart. Në këtë mënyrë kemi arritur një nivel më të lartë besueshmërie ndaj shërbimit duke bërë që pacientët të bashkëpunojnë më mirë me ne. Ajo që theksojmë është që pacientët duhet të punojnë për ta njohur më thellësisht veten dhe të mos udhëhiqen nga ideja se shëndeti mendor funksionon si ai fizik ku mjekimet janë e vetmja zgjidhje ndaj problemeve.

A keni marrë ndonjë përshtypje nga pacientët përfitues lidhur me marrjen e këtij shërbimi multidisiplimar nga QSH-ja juaj?

Në takimet periodike me mjekët dhe psikologen pacientët shprehen falënderues dhe besimplotë në ndihmën që marrin pranë qendrës. Madje, ata që përfundojnë terapinë shpeshherë kalojnë të na falënderojnë për ndihmën që u kemi dhënë. Ka ndodhur gjithashtu, që vetë pacientët, pas shërbimit të marrë nga qendra, të referojnë apo të sjellin familjarë me probleme të shëndetit mendor për t’u trajtuar nga ne.

Çfarë ndryshon për personat me çrregullime të shëndetit mendor ofrimi i këtij shërbimi krahasur me të shkuarën?

Ky shërbim ndihmon që të ndërhyhet në kohën e duhur në problemet e shëndetit mendor pasi tashmë pacientët vlerësohen që herët, kur gjendja është ende e lehtë, dhe, në ato raste kur gjendja është e rënduar, nxitet përmirësimi i gjendjes së tyre të përgjithshme shëndetësore. Gjithashtu, ky shërbim ul ndjeshëm stigmën lidhur me kujdesin ndaj shëndetit mendor dhe vetes, çka rrit mirëqënien emocionale të individëve dhe nxit një komunikim më empatik ndaj këtyre personave në komunitet. Fakti që tashmë personat që përballen me çrregullime të shëndetit mendor kanë mundësinë t’i drejtohen një sistemi të qartë dhe mbështetës siç është qendra shëndetësore, nxit tek ata shpresën dhe, siç raportohet nga vetë pacientët, dëshirën për të jetuar e për të përmirësuar jetën dhe veten e tyre, me ëndrra e qëllime të reja. Sigurisht, për të gjitha këto është shumë i rëndësishëm kontributi i bashkërenduar i mjekut të familjes, infermierit dhe psikologut, për një qasje gjithëpërfshirëse.

Çfarë mbështetjeje tjetër mendoni se do të ndikonte në përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së menaxhimit të shëndetit mendor në kujdesin parësor krahas ofrimit të kujdesit shëndetësor nga ekipi multidisplinar?

Shumë i rëndësishëm është trajnimi i vazhdueshëm për të gjithë profesionistët e ekipit të mjekësisë së familjes, veçanërisht për procesin e vlerësimit dhe ndërhyrjes tek individët me probleme të shëndetit mendor, çka do t’i ndihmonte ata në përballjen me raste të ndryshme. Po ashtu, ngritja e Grupeve të Kolegëve për aspekte të veçanta të komunikimit e referimit të ndërsjellë në nivel QSH-je dhe me nivelet e kujdesit të specializuar do të ishte me shumë vlerë. Së fundmi, diçka që po diskutojmë mes kolegëve është edhe mbështetja për praktikimin e terapisë në grup sipas nevojave të grupmoshave të ndryshme, por kjo mbetet për t’u parë.

Sipas mendimit tuaj, sa i rëndësishëm është ky trajnim për kontekstin e përgjithshëm të shëndetit mendor në Shqipëri?

Trajnimet mbi shëndetin mendor janë thelbësore për kontekstin e KSHP-së në Shqipëri prandaj janë gjithnjë të domosdoshme. Menaxhimi i çrregullimeve të shëndetit mendor mbetet gjithnjë një sfidë për secilin profesionist dhe është domosdoshmëri që të vijohen trajnime veçanërisht për profesionistët e parësorit.